OPTOMED ka marrë çertifikimin për Lentet Progresive në vitin 2000 nga Varilux University në Paris. Varilux janë lentet e para multifokale prodhuar në 1959 nga Essilor në Francë. Ato zëvendësuan syzet bifokale që kishin një ndarje të dukshme mes dy zonave të shikimit nga afër dhe larg. Përmirësimi estetik ishte shumë i madh sepse të para nga jashtë, lentet multifokale nuk ndryshojnë nga lentet me një fokus (monofokale). Nga ana funksionale u mundësua përfshirja e zonës së ndërmjetme (50-70 cm) e cila mungonte tek lentet bifokale.
Sidoqoftë, zonat funksionale ishin vetëm në pjesët qendrore të lentes ndërsa në periferi shikimi ishte më i kufizuar. Fillimisht përpunohej vetëm njëra sipërfaqe e lentes në bazë të recetës ndërsa sipërfaqja tjetër ishte ndërtuar paraprakisht në fabrikë. Me kalimin e viteve dhe përparimin e teknologjisë u krijuan programe kompjuterikë që mundësonin zgjerimin e zonave funksionale ku pamja duket e qartë. Filluan të investojnë tek lentet progresive edhe kompani të tjera : në Japoni Tokai dhe Hoya, Gjermani Rodenstock dhe Zeiss.