Përshtatja me recetën e re

pershtatje receta

Ndodh shpesh që pas vizitës në spital, klinikë apo dyqan optike, receta për syzet konsiderohet si zgjidhja përfundimtare e problemit. Më pas shikohen në internet apo provohen në disa dyqane optike shumë skelete duke zgjedhur sipas ngjyrës, modës apo markës së preferuar. Pritshmëria e klientit është që me syzen do shikohet në botën reale njësoj si imazhi i shkronjave të projektuara gjatë vizitës.

Ka shumë raste që nuk ndodh kështu edhe nëse bëjmë maksimumin që të realizohet zbatimi i përpiktë i recetës, vendosja e lenteve optike më cilësore dhe zgjedhja e skeletit më të përshtatshëm.

Përshtatja me recetën është më e lehtë nëse gjatë vizitës është verifikuar prej sa kohësh kishte lindur problemi dhe si ishte përshtatur organizmi me mënyrën e mëparshme të shikimit.

Nëse ka kaluar shumë kohë dhe ndryshimi i shikimit me recetën e re është i madh, duhet verifikuar edhe kapaciteti i muskujve që përshtatin fokusimin, koordinimin dhe reagimin ndaj dritës. Në bazë të ngarkesës në punë dhe pritshmërisë së personit, mund të bëhet ndryshimi i menjëhershëm (por përdorim i kufizuar) ose rritje graduale dhe përdorim i vazhdueshëm.